Qeverisje e Bashkësisë FreedomBox

Rreth Bashkësisë Tonë

Projekti i software-it FreedomBox qeveriset nga një bashkësi që përfshin vullnetarë nga palë të treta dhe kontribues me kohë të plotë. Për qeverisjen bazohemi te kodi ynë i sjelljes, i shkruari, dhe standarde reciproke të detyruara. Bashkësia synon të marrë vendime përmes diskutimi të hapur dhe konsensusi. Në rast mosmarrëveshjesh, bashkësia diskuton deri sa të gjendet një zgjidhje ose bie dakord të shtyhet diskutimi. Edhe pse fuqinë të pranojnë <em>merge requests</em> e ka një numër i caktuar i zhvilluesve tanë, cilido është i mirëpritur të bëhet pjesë e bashkësisë së kontribuesve dhe të parashtrojë kontribut si kod ose jo kod.

Ekipi Bazë

Njihuni me anëtarët e ekipit tonë bazë! Edhe pse kontribut japin një numër anëtarësh të bashkësisë, ekipi bazë përbëhet nga ata që janë më të përfshirët në zhvillimin e FreedomBox-it.

Kontribues

Edhe pse ekipi ynë është i vogël, qindra vullnetarë kanë dhënë ndihmesë te FreedomBox-i përgjatë viteve. Shumë prej këtyre radhiten këtu. I falënderojmë për punën e tyre!

Si Merren Vendimet

Përgjithësisht, vendimet mbi zhvillimin dhe konceptimin e software-it diskutohen nga anëtarë të ekipit bazë dhe vihen në jetë duke përdorur platformën tonë të zhvillimit me burim të hapët (GitLab, në rastin tonë). Mjaft nga vendimet e marra nga ekipi ynë s’janë të debatueshme dhe nuk kërkojnë periudha të zgjatura diskutimi.

Por ndonjëherë, janë të nevojshme periudha të zgjeruara diskutimi. Për propozime që kanë gjasë të jenë subjekt mosmarrëveshjesh, përdorim një procedurë “Kërkesë për Komente” (RFC). Komentet për RFC duhen postuar në një nga platformat tona të hapëta të zhvillimit (p.sh., Gitlab, ose forumi) dhe duhet të përfshijë (1) një përmbledhje të shkruar, skicë, ose imitim të propozimit, (2) një shpjegim të shkurtër pse duhet propozimi, dhe (3) një listë hapash veprimi të domosdoshëm për të vënë në jetë propozimin. Në dashtë, dikush mund të përfshijë te RFC-ja një zë të katërt: një afat kohor të sugjeruar për procesin e diskutimit, për të parandaluar vonesa të panevojshme. Ndonjëherë, mosmarrëveshjet e bëjnë të vështirë të ndiqen afate kohore; në raste të tilla, pjesëmarrësit duhet të përpiqen në mirëbesim të gjejnë një kompromis dhe, në rast dështimi, mund të zgjasin diskutimin.

Përmirësim përmes Rishikimi

Përgjithësisht, kur pranohen propozime që lidhen me zhvillim ose konceptim software-i, këto propozime trajtohen si të rishikueshme, jo përfundimtare. Ky trajtim “përmirësim përmes rishikimi” ndaj propozimeve na lejon të pranojmë propozime përgjithësisht solide pa u hallakatur në hollësi të vockla. Përimtime të vogla te propozime të pranuar mund të bëhen përherë më vonë, në vend se që në fillim. Njësoj si propozimi origjinal, rishikimet janë subjekt i diskutimeve dhe s’mund të bëhen në mënyrë të njëanshme. Në frymën e eksperimentimit, i përqafojmë rishikimet, për të farkëtuar përmirësime shtesë te software-i ynë.