Kod Sjelljeje në FredomBox

Version 1.0, zyrtarizuar më 10 gusht 2019

Bashkësia FreedomBox ka adoptuar këtë kod sjelljeje për anëtarët e bashkësisë së tij dhe pjesëmarrës në mënyra të ndryshme komunikimi brenda projektit FreedomBox.

1. Respektoni të Tjerët

Në një projekt të përmasave të FreedomBox-it, domosdo që do të ketë persona me të cilët nuk pajtoheni, ose do ta keni të vështirë të bashkëpunoni. Pranojeni këtë, por megjithatë tregoni respekt. Mospajtimi s’është justifikim për sjellje të dobët apo sulme personale, dhe, një bashkësi në të cilën njerëzit ndihen të kërcënuar, s’është një bashkësi e shëndetshme.

Anëtarë të bashkësisë tonë duhet të trajtojnë të tjerët me interes dhe respekt të njëjtë, pavarësisht prejardhjes, gjendjes familjare, gjendjes martesore, identitetit apo shprehjes së gjinisë, gjinisë vetë, prirjeve gjinore, gjuhës, moshës, aftësive, racës, kombësisë, origjinës kombëtare, gjendjes shoqëroro-ekonomike, fesë, apo vendndodhjes gjeografike.

Anëtarët e bashkësisë mund të tregojnë përemra gjinorë të parapëlqyer prej tyre, nëse duan, në çfarëdo mënyre që dëshirojnë, përfshi nënshkrime email, në fund postimesh forumesh, në profil forumi, ose në krah të emrit të tyre në kllapa në çfarëdo dokumenti ku shfaqet emri i tyre (p.sh., shënime të dhëna të tjerëve lidhur me propozime). Prej anëtarëve të bashkësisë pritet të respektojnë përemrat gjinorë të parapëlqyer nga anëtarë të tjerë.

2. Merrni të Mirëqenë Dashamirësinë

Kontribuesit te FreedomBox kanë mjaft rrugë të cilat mund t’i ndjekin për qëllimin tonë të përbashkët të krijimit të një sistemi operativ shërbyesi të lirë, të cilat mund të jenë të ndryshme nga tonat. Merrni të mirëqenë që të tjerët punojnë për këtë qëllim.

Mbani parasysh se mjaft nga kontribuesit tanë nuk e kanë gjuhë amtare anglishten, ose mund të kenë prejardhje kulturore të ndryshme. Kur shfaqen keqkuptime, merreni dashamirësinë të mirëqenë.

3. Jini Bashkëpunues

FreedomBox është një projekt i gjerë dhe i ndërlikuar; përherë ka më tepër për të mësuar brenda FreedomBox-it. Është mirë të kërkoni ndihmë, kur ju duhet. Në mënyrë të ngjashme, ofertat për ndihmë duhen parë në kontekstin e synimit tonë të përbashkët të përmirësimit të FreedomBox-it.

Kur bëni diçka për të mirën e projektit, jini i gatshëm t’u shpjegoni të tjerëve se si funksionon ajo, që këta të mund ta përdorin për ta bërë edhe më të mirë.

Bashkësia FreedomBox vlerëson kontribute që s’kanë të bëjnë me programim, përfshi kontribute pune grafike.

Bashkësia FreedomBox vlerëson gjithashtu rishtarët dhe furnizon punë për kontribues rishtarë duke përdorur etiketën “beginner” te sistemi ynë i ndjekjes së të metave.

4. Përpiquni të Jeni i Përpiktë

Mbani parasysh se, ç’shkruani, mund të lexohet nga qindra vetë. Shkrimi shkurt i një email-i ose postimi forumi do të thotë se njerëzit mund të ndjekin bisedën në mënyrën më efikase të mundshme. Kur një shpjegim i gjatë është i nevojshëm, shihni mundësinë e shtimit të një përmbledhjeje.

Përpiquni të sillni argumente të reja në një bisedë, në mënyrë që çdo kontribut të shtojë diçka unike te rrjedha, duke mbajtur parasysh se pjesa tjetër e rrjedhës ende përmban mesazhe të tjera me argumente që janë dhënë tashmë.

Përpiquni të mos dilni nga tema, veçanërisht në diskutime që janë tashmë goxha të zgjeruara.

5. Jini i Hapët

Shumica e mjeteve të komunikimit të përdorura nga bashkësia FreedomBox lejojnë metoda komunikimi publik dhe privat. Kur kjo do të ndihmonte bazën e dijes së bashkësisë, parapëlqehet të përdorni metoda publike komunikimi, për diskutime që lidhen me FreedomBox-in. Kjo vlen edhe për mesazhe për ndihmë ose asistencë që lidhen me FreedomBox-in; jo vetëm që një kërkesë publike për asistencë ka më shumë gjasa të prodhojë një përgjigje për pyetjen tuaj, ajo bën të mundur që çfarëdo gabimesh pa dashje, të bëra nga personat që i përgjigjen pyetjes tuaj, të kapen dhe ndreqen më lehtë.

Bashkësia jonë përpiqet fort të shmangë zhargon dhe gjuhë tjetër jopërfshirëse, që mund të tëhuajë njerëzit, ose t’i bëjë të ndihen të përjashtuar. Bashkësia jonë përpiqet gjithashtu të nxisë dhe të pranojë zërat e butë. Edhe pse bashkësia jonë kryesisht komunikon në anglisht, e kuptojmë që anglishtja mund të mos jetë gjuha e parë e krejt kontributeve. Kur është e mundur, japim shënime mbledhjesh apo konferencash. E nxisim dhe e përkrahim përkthimi e dokumentimit tonë përmes një Wiki të redaktuar nga bashkësia. Nxisim dhe përkrahim përkthimin e ndërfaqes tonë të software-it duke përdorur që të dyja rrugët, përkthim me bazë web dhe me mjete tradicionale përkthimi.

6. Në Rast Problemesh

Teksa ky kod sjelljeje duhet të jetë pjesë e punës së pjesëmarrësve, e kuptojmë që ndonjëherë dikush mund të ketë kaluar një ditë të vështirë, ose të mos jetë në dijeni të ndonjë udhëzimi të këtij kodi sjelljeje. Kur ndodhin cenime, keni tre rrugë për vënien e tij në zbatim. (1) Mund të lidheni me personin që cenoi kodin e sjelljes dhe t’ia vini në dukje. Mesazhe të tillë mund të jenë publikë ose privatë, çfarëdo që vendosni se është më e përshtatshme. Por, pavarësisht se mesazhi është publik ose jo, prapë duhet të zbatojë pjesët që kanë vend të këtij kodi sjelljeje; veçanërisht, s’duhet të jetë abuziv ose me mungesë respekti. (2) Cenimin mund t’ia njoftoni një anëtari të bashkësisë që duket te ndarja “Kontakte” më poshtë dhe, në u dashtë, të kërkoni ndihmë për të gjetur një zgjidhje. (3) Mund ta njoftoni cenimin te një anëtar i stafit te FreedomBox Foundation dhe, nëse dëshirohet, të kërkoni ndihmë për gjetjen e një zgjidhjeje. Në fund, krejt njoftimet do të marrin përgjigje sipas rrethanave specifike të cenimit, dhe njoftuesi, shkaktuesi dhe krejt të tjerët e prekur do të njoftohen.

Nëse vendosni ta njoftoni një cenim te një anëtar i bashkësisë, ose një anëtar i stafit të FreedomBox Foundation, njoftimet duhen bërë privatisht. Për hollësi kontakti me këto palë, ju lutemi, shihni ndarjen “Kontakte” më poshtë.

Kontakte

Individët vijues, radhitur alfabetikisht, kanë dalë vullnetarë për t’u kontaktuar në rast problemesh. Ju lutemi, mos ngurroni të lidheni me cilindo prej tyre:

Shënime:

  1. Ky kod sjelljeje u përshtat nga Kodi i Sjelljes i Debian-it.
  2. Ky kod sjelljeje përfiton nga drejtimi i dhënë te “Open Source Inclusion Basic Checklist for Projects” i Mozilla-s.